Bleona Qerreti: “Pavarësisht famës, Ganiu do të mbetet njeriu i zemrës time”

Intervistoi: Arta Agolli


 Spikat për guximin e saj, riskun që merr ndër vetë për ta kaluar çdo vështirësi dhe për të mbërritur atje ku asnjë këngëtare tjetër shqiptare nuk ka mundur ti mbijetojë egërsisë së tregut botëror muzikor. Me një fizik për tu pasur zili, rritjen në performancat e vazhdueshme muzikore dhe famën e madhe që sapo ka nisur në tregun amerikan, ajo do të shkojë edhe më tej duke prekur ëndrrën Hollywood. Kohët e fundit ka publikuar edhe albumin e saj të parë në Los Angeles. Njihet nga të gjithë si një yll i muzikës shqiptare ku për herë të parë surprizoi publikun me këngën e saj “Adoleshenca” me një këngë që asokohe u bë hit për të gjithë të rinjtë. Bleona Qerreti rrëfen për “Tirana Observer” planet e saj në kinematografinë botërore sekrete të vogla nga jeta e saj private, si edhe hapat e mëtejshme që do të hedhë në tregun muzikor amerikan. 

U bëre e famshme me këngën “Adoleshenca”, si ishte atëherë Bleona dhe si është sot?

Një gjë është shumë e sigurt: Vazhdoj të kem të njëjtin pasion për muzikën njësoj si ditën e parë që kam shkelur në studio…Sigurisht tani kam eksperiencën që në dallim nga më përpara tani gjërat janë më pak të komplikuara duke marrë parasysh që tani e njoh shumë mirë procesin dhe radhën e punës.

Rikthehesh shpesh në Shqipëri, ka Bleona ndonjë motiv të fortë për të bërë muzikë në vendin që e rriti si këngëtare?

Unë momentalisht nuk jam në Shqipëri jam në Los Angelos. Ajo që unë i kam premtuar publikut shqiptar është që pa marrë parasysh sa e madhe është fama ime në botë unë asnjëherë nuk do ta harroj vendin nga kam ardhur dhe dashurinë pa kompromise që fansat më kanë dhënë ndër vite. Sigurisht duke u nisur nga ky këndvështrim atëherë sa herë të më jepet rasti do të vij në Shqipëri. Kohët e fundit unë isha e ftuar atje nga Vera Grabocka për “X Factor” dhe sigurisht me që isha në Tiranë nuk mund të rrija pa kënduar në koncertin e sheshit “Nënë Tereza”.

Jeton momentalisht midis shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, për të gjithë publikun a ka ndonjë hit të momentit që do vijë nga ty?

Sigurisht, por tani për tani jam duke promovuar albumin në Anglisht kështu që këngët e reja do të jenë në anglisht, ndërkohë që në të ardhmen e afërt sigurisht nuk do lë rastin pa krijuar këngë të reja në shqip. I premtoj publikut shqiptar që shumë shpejt do rikthehem tek ata me një koncert gjigand duke promovuar albumin tim, dhe sigurisht do krijoj me gjithë forcën e shpirtit muzikë të bukur për ta. Këtë gjë ja premtoj publikisht të gjithëve.

Si po ecin planet e tua për të arritur botën e madhe të show bizit botëror, ka ndonjë kontratë me artistë të njohur?

Momentalisht sa kam mbaruar performancën time të parë zyrtare si këngëtare këtu në Amerikë dhe ka pasur një reagim të jashtëzakonshëm nga media këtu. Kështu që tani kemi vërtet shumë oferta dhe unë dhe grupi im i menaxhimit. Nga dita në ditë ne jemi duke bërë takime të ndryshme me të gjitha kompanitë dhe sigurisht do shikojmë kush do të jetë oferta më e përshtatshme për ne.

 A ka një dashuri në zemrën e Bleonës momentalisht, apo ajo i përket vetëm publikut shqiptar?

Momentalisht i përket publikut shqiptar, për sa i takon jetës time private tani për tani, është pothuajse inekzistente.

3 

Ke tentuar edhe në aktrim, cilat janë planet e tua për në Hollywood?

Momentalisht jam duke u marrë vetëm me Albumin dhe sigurisht në planet e afërta hyn dhe aktrimi. Patjetër që kam disa plane serioze dhe oferta të kënaqshme për disa role të mira nga regjisorë të mëdhenj, botërorë ky është një nga prioritetet e mia, por momentalisht dua të promovohem në muzikë. Hapat në muzikë dhe në aktrim dua ti hedh një e nga një, pasi unë tashmë jam pjesë e ëndrrës amerikane, dhe do luftoj me çdo mundësi që të jem patjetër një përfaqësuese e denjë e Shqipërisë pse jo e para që do të ecë përkrah aktorëve më të mirë në botë.

A do t’i rikthehesh sërish kompeticioneve shqiptare dhe çfarë mendon për muzikën në vend sa ka përparuar ajo?

Unë nuk kam më kohë të merrem me kompeticionet që zhvillohen në Shqipëri megjithëse dëshira është e madhe, por e them me keqardhje që mundësia është shumë e vogël. Jo vetëm për faktin që jetoj dhe jam e angazhuar plotësisht në çdo minutë të jetës time me planet në Amerikë ku jeta është shumë ndryshe dhe aktive, ku edhe një detaj shumë i vogël siç është ndryshimi i orës nuk të lejon që të ndjekësh çfarë bëhet në Shqipëri. Dhe sigurisht kjo vlen dhe për muzikën e viteve qe fundit, ndaj dua të them që nuk i ndjek artistët që kanë dalë vitet e fundit, dhe në lidhje me këtë nuk kam si të jap një përshtypje. Unë nuk kam asnjë informacion kush janë artistët e rinj që kanë dalë në Shqipëri mbas 2009, por mund të them që patjetër janë ndryshime pozitive që e kanë rritur cilësinë e muzikës.

Një ndër deklaratat e tua të fundit është ajo që ke bërë në lidhje me kryeministrin e vendit, a ka Bleona aspirata edhe në politikë?

Unë dhe doktor Berisha kemi histori më të gjatë. Unë jam rritur me koncertet e vizionit në 1996 dhe sigurisht kujtimet e mira nuk harrohen. Unë kam qenë dhe do të mbetem fansja numër 1 e Doktorit.

Në çfarë dispozitash është martesa jote shumë e përfolur në Amerikë, meqë publiku është shumë kurioz për këtë?

Nuk e kuptoj faktin PSE martesa ime është shumë e përfolur. Gani ka dashur gjithmonë të qëndrojë larg gazetave dhe unë mundohem ta respektoj këtë fakt. Pa marrë parasysh që media nuk e respekton. Dua të dijë gjithë publiku dhe gjithë mediat që Gani është njeriu më i afërt në zemrën time dhe pa marrë parasysh si vjen jeta ai do të ketë gjithmonë një vend special në jetën time.